Secondary Adv

AirDNA: Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjtë në Ballkan për qiratë ditore

Rritja e kërkesës turistike po shtyn lart çmimet e akomodimit afatshkurtër në Shqipëri.

Fluksi në rritje i turistëve të huaj drejt Shqipërisë po sjell gradualisht edhe rritjen e kostove të akomodimit. Sipas të dhënave të publikuara nga AirDNA, platforma ndërkombëtare e analizës së tregut të qirave afatshkurtra, Shqipëria është tashmë vendi i dytë më i shtrenjtë në Ballkan për qiratë ditore, duke u renditur pas Malit të Zi.

 

Të dhënat tregojnë se çmimi mesatar ditor i akomodimit në Shqipëri ka arritur në 57 euro për natë. Vetëm Mali i Zi rezulton më i shtrenjtë në rajon, me një çmim mesatar prej 79 eurosh për natë. Pas Shqipërisë renditen Bosnja dhe Hercegovina me 56 euro për natë, Serbia me 51 euro dhe Kosova me 42 euro. Maqedonia e Veriut mbetet destinacioni më i lirë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën, me një çmim mesatar prej rreth 40 eurosh për natë.

 

Ende më lirë se destinacionet kryesore turistike

Megjithëse çmimet në Shqipëri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, vendi vazhdon të mbetet më ekonomik krahasuar me destinacionet kryesore turistike të Mesdheut dhe Europës. Në Itali, çmimi mesatar i një qiraje afatshkurtër arrin në 146 euro për natë, në Greqi 138 euro, ndërsa në Kroaci 130 euro për natë.

 

Rritja e kërkesës po reflektohet edhe në të ardhurat e sektorit. Të dhënat e mëparshme tregojnë se gjatë vitit 2025 në Shqipëri ishin të disponueshme rreth 26.300 apartamente dhe njësi të tjera akomodimi për qira afatshkurtër, të cilat gjeneruan të ardhura rekord prej 134 milionë eurosh, ose 23.4 për qind më shumë se një vit më parë.

 

Monako dhe Islanda kryesojnë Europën

Sipas AirDNA, destinacioni më i shtrenjtë në Europë për qiratë afatshkurtra mbetet Monako, me një çmim mesatar prej 417 eurosh për natë. Tregu atje karakterizohet nga ofertë e kufizuar dhe kërkesë shumë e lartë, e ndikuar edhe nga evente prestigjioze si Formula 1.

 

Pas Monakos renditet Islanda me rreth 210 euro për natë, ndërsa vendet e tjera më të shtrenjta janë Andorra me 188.57 euro, Zvicra me 184.26 euro dhe Mbretëria e Bashkuar me 175.79 euro për natë. Në Zvicër, disa destinacione si Interlaken arrijnë deri në 284 euro për natë, ndërsa në Britani çmimet më të larta regjistrohen jo vetëm në Londër, por edhe në zonat turistike bregdetare dhe rurale.

 

Ballkani dhe Europa Lindore mbeten më ekonomiket

Në anën tjetër të renditjes, vendet më të lira të Europës vazhdojnë të përqendrohen kryesisht në Ballkan dhe Europën Lindore. Maqedonia e Veriut kryeson listën me 39.81 euro për natë, e ndjekur nga Kosova me 41.63 euro dhe Moldavia me 45.49 euro.

 

Serbia renditet e katërta ndër vendet më të lira me 51.17 euro për natë, ndërsa pesëshja mbyllet nga Bosnja dhe Hercegovina me 56.33 euro për natë. Këto tregje vazhdojnë të tërheqin turistë për shkak të kostove më të ulëta të akomodimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit urban dhe kulturor.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat